Ballina / DEKLARATA / LSHB: Kërkesa për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës në një shtet

LSHB: Kërkesa për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës në një shtet

Kërkesë drejtuar institucioneve shtetërore të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës

I nderuar kryeministër i Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama,

I nderuar kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj,

Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar në emër të anëtarëve nga të gjitha trojet shqiptare, pa dallim feje, ideje, krahine, pikëpamjeje politike dhe shtrese shoqërore i’u drejtohet më kërkesën, që nëpërmjet referendumit demokratik dhe njësimit institucional e shtetëror, me forma paqësore Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës të ribashkohen në një shtet kombëtar, si pjesë e procesit demokratik të jetësimit të Shqipërisë së Bashkuar.

Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar kërkon nga institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë, që me procedurë të përshpejtuar dhe në përputhje me Kushtetutën në fuqi të Republikës së Shqipërisë, të miratojë Rezolutën për organizimin dhe shpalljen e Referendumit për RIBASHKIM KOMBËTAR SHQIPTAR.

Kërkesa mbështetet në:

– Të drejtën e ligjshme dhe të patjetërsueshme të kombeve për të jetuar të lirë dhe të bashkuar, në përputhje me të drejtën e kombeve për vetëvendosje dhe dekolonizim.

– Aktin juridik të 28 Nëntorit 1912 të Kuvendit të Vlorës, të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë nga përfaqësuesit e katër krahinave (vilajeteve) shqiptare.

– Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si akti më i lartë ligjor, e cila e ka të sanksionuar aspiratën shekullore të kombit shqiptar për çlirim dhe bashkim kombëtar.

– “Platformën për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare” të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (1998).

– Kuvendin e Lezhës (1444)

– Programin Politik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878).

– Konfencën e Bujanit, ku u morr vendim për të luftuar fashizmin dhe për t’u bashkuar trojet e ndara shqiptare më shtetin amë – Shqipërinë.

– Betimin e tri Ushtrive Çlirimtare (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë Medvegjë dhe Bujanoc, dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare) të cilat në tekstin e betimit të luftëtarëve të tyre e kishin sanksionuar çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare me trungun amë – Shqipërinë me kufijtë e saj historik, natyror dhe legjitim.

Prandaj, duke pasur parasysh se:

– Populli shqiptar jeton i ndarë në gjashtë shtete, dhe është i kufizuar arbitrarisht me vetveten, kundër vullnetit tij, duke pasur parasysh rrezikun e tkurrjes së mëtejshme të trojeve shqiptare, plan programet shfarrosese antishqiptare të Athinës, të Beogradit, të Shkupit dhe të Podgoricës, të cilët në mënyrë të heshtur dhe të mirëkoordinuar mes vete janë duke zhvilluar gjenocid të heshtur në trojet e pushtuara të Shqipërisë është më së e domosdoshme që dy shtetet shqiptare, të bashkohen në një shtet të përbashkët shqiptar.

– Çështja koloniale e trojeve shqiptare ende nuk është zgjidhur dhe trojet shqiptare qysh nga viti 1878 dhe deri sot ende trajtohen si plaçkë koloniale e Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

– Zgjidhja në tërësi e çështjes koloniale të trojeve shqiptare është e drejtë e ligjshme, dhe zgjidhja e saj nuk bie ndesh me asnjë dokument ndërkombëtar (Karta e OKB, Akti Final i Helsinkut, Karta e Parisit për Europë të Re), por përkundrazi ka mbështetje ligjore nga to.

– Ribashkimi i shqiptarëve në një shtet kombëtar shqiptar – Shqipëri të Bashkuar është domosdoshmëri e kohës, europianizëm, qytetërim, demokraci, paqe, stabilitet, siguri dhe qetësi jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për mbarë rajonin dhe Europën e integruar demokratike.

– Përpjekjet e shqiptarëve për liri, pavarësi, çlirim dhe bashkim kombëtar kanë vazhdimësi të pandërprerë historike, duke filluar nga Kuvendi i Lezhës e deri më sot.

– Marrëveshjet ndërkombëtare u hartuan dhe u miratuan mbi shkeljen e së drejtës së vetëvendosjes së popullit shqiptar, duke mos njohur aktin juridik të 28 nëntorit të vitit 1912, prandaj vendimet e tyre janë të paligjshme dhe duhet të shpallen të tilla.

Prandaj,

Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar angazhohet për bashkimin fizik të trojeve shqiptare në një shtet kombëtar shqiptar, si parakusht për zhvillim të mirëfilltë ekonomik e kulturor drejtë integrimeve të mëtutjeshme europiane.

Tahir Veliu

Kryetar i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar

Tiranë

8 Dhjetor 2017

About Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar

Check Also

LSHB është me popullin shqiptar, kundër kufijve të imponuar dhe klasës politike antishqiptare

Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar mbështet fuqishëm vullnetin e popullit shqiptar kundër klasës politike antishqiptare …

Për anëtarësim në Lëvizjen për Shqipëri të Bashkuar vizitoni faqen zyrtare të LSHB-së; Formularin për Anëtarësim www.levizjalshb.com/anetaresohu Ndërsa, për kontakt direkt në Republikën e Shqipërisë ‭+355 67 647 0409‬ (Viber & Whatsapp) Kurse, numri kontaktues për Republikën e Kosovës vetëm për thirrje direkte është ‭+38345925245‬