Ballina / LAJMET / U themelua Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar. Tahir Veliu u zgjodh kryetar i LSHB-së – KosovaPost

U themelua Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar. Tahir Veliu u zgjodh kryetar i LSHB-së – KosovaPost

Në Prishtinë, të shtunën më 16 korrik 2016, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve “Adem Jashari”, u mbajt tubimi i parë themelues dhe promovues i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar. Në këtë tubim që kishte karakter themelues dhe promovues morën pjesë shumë të interesuar dhe veprimtarë të çështjes kombëtare nga të gjitha trojet etnike shqiptare dhe nga diaspora.


Në këtë tubim ku u themelua Këshilli i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar dhe u zgjodhë lideri i saj u prezantua dhe u miratua Programi politik i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar, si dhe u bë shpalosja e Platformës për Shqipëri të Bashkuar, me ç’rast u bë edhe promovimi i librit i autorit Tahir Veliu “Platforma për Shqipëri të Bashkuar”.
Në fillim të tubimit, foli Frashër Rracaj, i cili tha se Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar themelohet në kohën kur duhet kontribuar në bashkimin e të gjitha trojeve etnike shqiptare në një shtet të vetëm. Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar angazhohet për bashkim të kombit, për një shtet kombëtar, sepse kjo është e drejtë që na takon, tha Rracaj.


Më pas foli historiani Prof. Dr. Hakif Bajrami, i cili tha se librin “Platforma për Shqipëri të Bashkuar” e ka lexuar dy herë, ngase, sipas tij, e ka rëndësinë e madhe dhe se bashkimi kombëtar i takon kombit shqiptar, të cilin fuqitë e mëdha të kohës e kanë ndarë në disa pjesë, përkatësisht në disa shtete.
Ai më tej ka theksuar se mospjesëmarrja e politikanëve këtu në këtë tubim tregon se ne akoma nuk jemi të gatshëm për bashkim. Nuk mund të flas ndryshe pos siç ka thënë Skenderbeu, Adem Demaqi, Adem Jashari, etj., sepse ata gjithmonë kanë thënë se kombi shqiptar është një dhe se duhet të jetë i bashkuar në një shtet.
Dr.Bajrami foli për periudhat historike që ka kaluar populli shqiptar e deri më sot dhe shtroi pyetjen: çka po bëjmë ne sot?


Më pas tubimin e përshëndeti Ndue Cani nga Shkodra. Ndërsa, Tahir Veliu, në fjalën e tij tha se derisa një komb është i ndarë në gjashtë (6) shtete, nuk mund të ketë stabilitet në rajon. Bashkimi i kombit në një shtet është stabilitet për rajonin, nuk është kundër askujt dhe në dëm të askujt, është për të mirën e të gjithëve, tha Veliu.


Ndërsa, Demir Reshiti, duke folur për Lëvizjen për Shqipëri të Bashkuar tha se kombi shqiptar në Ballkan është etnik dhe më i vjetri prej të gjithëve, prandaj meqë gjindet në një hapësirë gjeografike të bashkuar, kombi shqiptar duhet të jetë i bashkuar. Kombi ynë duhet të shkojë i bashkuar në Bashkimin Evropian (BE) dhe jo të shkojë i ndarë, tha Reshiti.
Në fund të tubimit, me vota të hapura, Tahir Veliu u zgjodh kryetar i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar, si dhe u zgjodh Këshilli i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar, deri në mbajtjen e Kuvendit Gjithëkombëtar.
Pas përfundimit të pjesës së parë, shfrytëzuam rastin dhe morëm mendimin e disa pjesëmarrësve të këtij tubimi.
Halit Elshani, autor i disa librave, veprimtar i kauzës kombëtare, jeton dhe vepron në Belgjikë, tha: “Për tubime të tilla kemi nevojë, aq më parë për programe e platforma politike me karakter kombëtar. Jam i mahnitur me bartësin e kësaj iniciative, respektivisht me autorin e kësaj platformeje politike të z. Tahir Veliu. I dëshiroj suksese dhe i uroj që kjo lëvizje të masovizohet.
Në këtë takim ishte edhe z. Dod Prelvukaj, i cili po vinte nga Amerika mike, respektivisht nga Nju Jorku. Zotëri Dod Prelvukaj në fillim tha: “Unë për themelimin e kësaj Lëvizjeje jam informuar nga rrjetet internetike dhe ato sociale. I kam kontaktuar themeluesit dhe ja sot jam këtu në këtë tubim. Kam ardhur që nga Nju Jorku. Atmosfera e krijuar nga vëllezër e motra nga të gjitha trojet shqiptare më ka “mbushur plot energji patriotike” dhe unë uroj që kjo Lëvizje të rritet aq shumë, sa që me punën e saj t’i arrijë objektivat tona e kjo është Ribashkimi me Shqipërinë dhe tokat tjera shqiptare”, tha ai.

Dod Prelvukaj nga Malësia-New Yorku dhe Mark Gruda
Kështu ngjashëm foli edhe malësori tjetër që po vinte nga Gruda, z. Mark Lulgjuraj.
Unë për këtë Lëvizje jam informuar nëpërmjet Facebookut. Mezi kam pritur këtë ditë që të takohemi e të njihemi me platformën e kësaj Lëvizjeje për bashkim Kombëtar. Jam i mahnitur me energjinë kombëtare të z. Tahir Velihut. I uroj këtij dhe gjithë atyre që do të jenë pjesë e kësaj Lëvizjeje suksese drejt bashkimit Kombëtar.
Tubime të tilla promovuese të Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar do të mbahen në Tiranë më 23 korrik 2016, në Shkup më 30 korrik 2016, në Preshevë më 6 gusht 2016, në Janinë më 13 gusht 2016 dhe në Tuz më 20 gusht 2016. /Ahmet Pllana & Cenë Pushkolli -KosovaPost

Dod Prelvukaj, Cenë Pushkolli, Mark Gruda dhe Ahmet Pllana

About Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar

Check Also

LSHB protestoj kundër heqjes së flamurit kombëtar, kërkon rikthimin e menjëhershëm

Disa aktivistë dhe përfaqësues të Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar protestuan mbrëmjen e djeshme, për …

Për anëtarësim në Lëvizjen për Shqipëri të Bashkuar vizitoni faqen zyrtare të LSHB-së; Formularin për Anëtarësim www.levizjalshb.com/anetaresohu Ndërsa, për kontakt direkt në Republikën e Shqipërisë ‭+355 67 647 0409‬ (Viber & Whatsapp) Kurse, numri kontaktues për Republikën e Kosovës vetëm për thirrje direkte është ‭+38345925245‬